IMG_4764

Z. Telat Agolli, një nga figurat më të shquara të artit të cirkut në Shqipëri ka ndërruar jetë.

Ai ka qenë ndër të parët artistë akrobatë i inkuadruar në Trupën e Estradës së Tiranës në vitin 1952 si profesionist;
Është krijuesi dhe themeluesi i cirkut profesionist shqiptar, duke kontribuar si artist, krijues, trainer, drejtues artistik dhe regjizor i trupës së cirkut;
Si artist është shquar për nivel të lartë ekzekutimi dhe interpretimi të numrave akrobatikë, në zhanre të ndryshme të cirkut;
Ka një meritë të padiskutueshme në përkrahjen e elementit të ri, duke e parë atë si një domosdoshmëri në përparimin e artit të cirkut;
Ka një vlerë të veçantë në ndarjen e cirkut si institucion më vete (1973), në marrjen e çadrës arenë (1975), në rritjen numerike dhe cilësore të trupës;
Në vitet 1976-1982 u dënua nga sistemi komunist me motivacionin “Agjitacion dhe propaganda;
Karriera e tij artistike shtrihet në periudhën 1952-1976 dhe 1984-1993;
Për kontributin e tij në vite është vlerësuar me titullin Artist i Merituar (1969), Artist i Popullit (1975), Mirënjohje e Qytetit të Tiranës , për vlera të larta qytetarie dhe intelektuale të vëna në shërbim të qytetit të Tiranës (21/04/2000).

Përveç kontrubutit në art Z. Agolli ka edhe një kontribut të shquar si sportist dhe trainer në sportet e gjimnastikës artistike dhe në peshëngritje, duke dalë shumë herë kampion dhe duke përgatitur rekordmenë kombëtarë si Ymer Pampurin, Bujar Bodinakun Mirjam Hakanin etj.
Cirku Kombëtar me dhimbjen e madhe që ndjen nga largimi i një njeriu shumë të dashur, i një figure të pazëvendësueshme, i shpreh familjarëve ngushëllimet më të sinqerta në këto momente të vështira.